04/24/2023
Filmi i radhës i përzgjedhur nga Kino ARMATA dhe Dyvolab si pjesë e serisë së bashkëpunimeve të përmuajshme mbi temën e ndryshimit klimatik dhe ambientit, i cili do të shfaqet të marten, më 2 maj 2023, prej 19:00h, është një film i animuar japonez apo më saktësisht një nga seritë e mangave më komplekse dhe intriguese të viteve të 80-ta.
Shumë larg në të ardhmen, pasi një konflikt apokaliptik ka shkatërruar pjesën më të madhe të ekosistemit të botës, disa njerëz që kanë mbijetuar, jetojnë në mjedise të shpërndara gjysmë mikpritëse brenda asaj që është bërë një "xhungël toksike".
Filmi zhvillohet në një botë futuriste post-bërthamore dhe tregon historinë e Nausikës, princeshës së re adoleshente të Luginës së Erës, e cila mund të komunikojë me insektet masive që popullojnë xhunglën e rrezikshme. Ajo përfshihet në një luftë me Tolmekianët, një mbretëri që përpiqet të përdor një armë të lashtë për të zhdukur një xhungël plot me insekte gjigante mutante. Princesha përpiqet të gjejë një mënyrë për të rivendosur ekuilibrin në ekosistem dhe për ta mbrojtur atë nga ata që kërkojnë të shfrytëzojnë burimet e natyrës për përfitime personale.
Nausika është një simbol i shpresës dhe dhembshurisë në një botë që është mbërthyer nga lakmia dhe dhuna. Nën drejtimin e luftëtarit veteran Mjeshtër Jupa, ajo lufton për të rikthyer paqen në planetin e shkatërruar.